Në spitalin “Sheika Fatima” është inauguruar laboratori i ri, falë mbështetjes së vazhdueshme të donatorit të rregullt “Khalifa Foundation” dhe angazhimit të Presidentes Osmani.
Sipas një njoftimi të fundit nga Zyra e Presidencës së Kosovës, në spitalin “Sheika Fatima” është inauguruar një laborator i ri. Ky zhvillim është bërë i mundur falë mbështetjes së vazhdueshme nga donatori i rregullt “Khalifa Foundation” dhe angazhimit të Presidentes Osmani, transmeton Gazeta Shneta.
Laboratori, i pajisur me teknologji bashkëkohore, do t’i mundësojë këtij institucioni publik shëndetësor të kryejë shumicën e analizave brenda vetë spitalit pediatrik.
“Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e efikasitetit, cilësisë dhe qasjes së qytetarëve në shërbime më të avancuara laboratorike, me theks të veçantë tek fëmijët, të cilët janë përfituesit më të ndjeshëm dhe më të rëndësishëm të këtyre investimeve.
Një pjesë e konsiderueshme e pajisjeve të reja do të përdoret në repartin e neonatologjisë, aty ku kujdesi mjekësor është vendimtar për jetën e bebeve dhe nënave”, thuhet në njoftim.
Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohje të thellë për popullin e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe, në veçanti, për Lartmadhërinë e saj, Sheika Fatima bint Mubarak Al Ketbi, për kontributin e çmuar dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në përmirësimin e sistemit shëndetësor në Kosovë. /Gazeta Shneta/




