Shëndeti i dobët oral mund të jetë një tregues i hershëm i sëmundjeve kronike si diabeti tip 2, sëmundjet e zemrës dhe problemet me veshkat, sipas një studimi të publikuar në “Journal of Oral Rehabilitation”.
Studiuesit nga Universiteti Shëndetësor Fujita në Japoni vërejtën se personat me mungesë dhëmbësh dhe vështirësi në përtypje apo shqiptim kishin më shumë gjasa të kishin sheqer të lartë në gjak, kolesterol të lartë dhe funksion të dobësuar të veshkave, shkruan burimi Health Day transmeton Gazeta Shneta.
Në studim u përfshinë 118 persona mbi moshën 50 vjeç. Ekzaminimet dentare dhe fizike u krahasuan gjatë viteve 2021–2023.
Gjetjet treguan se ata me nivele të larta sheqeri kishin më pak dhëmbë funksional dhe rezultate më të dobëta në testin OD (matje e shpejtësisë dhe saktësisë së shqiptimit).
Ata me kolesterol të lartë kishin më shpesh gjuhë të mveshur nga një shtresë e bardhe e theksuar, ndërsa pacientët me probleme renale kishin një kombinim të këtyre shenjave.
Hulumtuesit theksojnë se megjithëse studimi nuk provon lidhje shkak-pasojë, rezultatet ngrenë dyshime se inflamacioni dhe bakteret në gojë mund të ndikojnë në sëmundjet sistemike. Po ashtu, sëmundjet kronike mund ta përkeqësojnë gjendjen orale.
Ata rekomandojnë përfshirjen e numrit të dhëmbëve dhe testit OD në kontrollet mjekësore, si mënyrë për të zbuluar sëmundje të fshehura në faza të hershme. /Gazeta Shneta/


