Për vite me radhë, është përsëritur si një rregull i artë i mirëqenies: bëni 10,000 hapa në ditë. Por një studim i ri i publikuar në “The Lancet Public Health”, tregon se përfitimet shëndetësore mund të arrihen edhe me më pak – rreth 7,000 hapa në ditë.
Sipas studiuesve, arritja e këtij numri lidhet me një rrezik më të ulët për sëmundje si demenca, sëmundjet e zemrës, depresioni, diabeti i tipit 2 dhe disa forma të kancerit. Për shembull, rreziku për demencë ulet deri në 38%, ndërsa për kancerin me 6%, shkruan burimi Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Të ecurit rregullisht ka përfitime të shumta: rrit rrahjet e zemrës, përmirëson qarkullimin e gjakut, ul tensionin arterial dhe ndihmon në menaxhimin e peshës.
Madje, studimi tregon se edhe 4,000 hapa në ditë janë më të dobishëm sesa një mënyrë jetese sedentare me vetëm 2,000 hapa.
Edhe pse më shumë hapa sjellin përfitime për njerëzit me probleme të zemrës, pas 7,000 hapave në ditë efekti pozitiv fillon të stabilizohet, duke treguar se ky është një objektiv më realist dhe i arritshëm për shumicën.
Sipas Dr. Daniel Bailey nga Universiteti Brunel i Londrës, ky studim “hedh poshtë mitin e 10,000 hapave si synim të domosdoshëm për shëndetin optimal.”
Ekspertët e shëndetit publik theksojnë se, krahas numrit të hapave, intensiteti i aktivitetit fizik është po aq i rëndësishëm.
Ata rekomandojnë të paktën 150 minuta aktivitet fizik të moderuar në javë (si ecja e shpejtë), ose 75 minuta aktivitet intensiv.
Sidoqoftë, mesazhi kryesor i studimit është i thjeshtë dhe inkurajues: çdo rritje e vogël në aktivitetin fizik – madje edhe vetëm 1,000 hapa më shumë në ditë – mund të bëjë ndryshim të madh për shëndetin tuaj. /Gazeta Shneta/


