Shumë njerëz synojnë të ecin 10,000 hapa në ditë për përfitimet e supozuara shëndetësore, por një studim i ri i publikuar në “The Lancet Public Health”, tregon se mjaftojnë edhe 7,000 hapa për të reduktuar ndjeshëm rrezikun nga sëmundjet e zemrës, diabeti i tipit 2, demencën, kanceri, depresioni dhe vdekshmëria nga të gjitha shkaqet.
Studiuesit zbuluan gjithashtu se edhe 4,000 hapa në ditë ofrojnë përfitime më të mëdha shëndetësore sesa një stil jete shumë pasiv me rreth 2,000 hapa në ditë, shkruan burimi Medical News Today përcjell Gazeta Shneta.
Për vite me radhë, ka pasur theks të madh në qëllimin e 10,000 hapave në ditë si një standard për shëndetin. Pajisje si Fitbit, Garmin, Apple Watch dhe aplikacione si Google Fit dhe Apple Health ndihmojnë përdoruesit të ndjekin numrin e hapave.
Hulumtimi i ri, i udhëhequr nga profesorja Melody Ding nga Universiteti i Sidneit, analizoi të dhëna nga 35 studime me mbi 16,000 të rritur.
Ata shqyrtuan lidhjen mes numrit të hapave dhe tetë rezultateve shëndetësore, përfshirë vdekshmërinë, kancerin, sëmundjet kardiovaskulare, diabetin, funksionin fizik, rëniet, shëndetin mendor dhe përfundimet njohëse.
“Megjithëse rekomandimet publike përqendrohen në 150–300 minuta aktivitet në javë, shumë njerëz i matin aktivitetet me hapa, që është një njësi më e thjeshtë dhe më e kuptueshme,” tha Ding për MNT.
“Qëllimi i 10,000 hapave nuk mbështetet në prova të forta. Studimi ynë kërkoi të përcaktojë se sa hapa në ditë lidhen realisht me përfitime të rëndësishme shëndetësore.”
Analizë e re shkencore ka zbuluar se ecja me rreth 7,000 hapa në ditë lidhet me një ulje të ndjeshme të rrezikut për disa probleme shëndetësore. Konkretisht, pjesëmarrësit që ecën rreth 7,000 hapa në ditë kishin:
– 47% më pak rrezik për vdekshmëri nga të gjitha shkaqet;
– 6% më pak rrezik për kancer;
– 25% më pak rrezik për sëmundje kardiovaskulare;
– 38% më pak rrezik për demencë;
– 22% më pak rrezik për depresion;
– 28% më pak rrezik për rënie aksidentale;
– 14% më pak rrezik për diabet të tipit 2. /Gazeta Shneta/


