Një program gjithëpërfshirës i stilit të jetesës që përfshin ushtrime fizike, ushqim të shëndetshëm, sfida njohëse e shoqërore dhe udhëzim shëndetësor, ka përmirësuar ndjeshëm funksionin njohës të të moshuarve në rrezik për sëmundjen e Alzheimerit dhe demenca të ngjashme.
Ky zbulim vjen nga studimi i madh amerikan POINTER, i cili zgjati dy vjet dhe nuk përfshiu barna, por vetëm ndërhyrje në stilin e jetesës, shkruan Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Në studim morën pjesë 2,111 të moshuar, të ndarë në dy grupe: një grup me program të strukturuar dhe një tjetër me qasje vetë-udhëzuese. Të dy grupet treguan përmirësime, por grupi me mbështetje të strukturuar pati rezultate dukshëm më të mira. Ky program përfshinte 38 takime ekipore me edukim, vendosje objektivash dhe monitorim të zbatimit të planit.
Dr. Heather Snyder nga Shoqata e Alzheimerit theksoi rëndësinë e këtij studimi, duke përmendur se mbi 30% e pjesëmarrësve ishin nga grupe që zakonisht përfaqësohen pak në kërkimet për demencën.
Ekspertët theksojnë se mbështetja dhe struktura janë thelbësore.
Ndihma nga trajnerët dhe ndjekja mjekësore ndikojnë drejtpërdrejt në suksesin e ndërhyrjeve për parandalimin e rënies njohëse.
Studimi konfirmon se qasjet e organizuara dhe të udhëhequra janë më efektive se vetë-menaxhimi. /Gazeta Shneta/


