Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) pritet të lëshojë një paralajmërim për udhëtimet drejt Kinës, pas rritjes së rasteve me virusin chikungunya – një infeksion potencialisht i rrezikshëm që përhapet përmes pickimit të mushkonjave, raportoi Bloomberg News.
Që nga fillimi i korrikut, Kina ka regjistruar afro 5,000 raste, shumica prej të cilave në provincën Guangdong pranë Hong Kongut, ku vetëm javën e fundit janë konfirmuar rreth 3,000 raste. Në nivel global, virusi ka shkaktuar 90 vdekje dhe 240,000 raste në të paktën 16 vende, sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, transmeton Gazeta Shneta.
Zëdhënësi i CDC-së deklaroi për The Independent se agjencia po vlerëson përmasat dhe përhapjen e shpërthimit në Guangdong.
Virusi chikungunya përhapet përmes pickimit të një mushkonje të infektuar dhe është regjistruar më parë në Afrikë, Amerikë, Azi, Evropë dhe në ishujt e Oqeanit Indian e Paqësor. Udhëtarët e infektuar mund ta përhapin virusin edhe në zona të tjera të pa prekura.
Simptomat përfshijnë temperaturë, dhimbje kyçesh, dhimbje muskujsh, skuqje dhe, në raste të rënda, çrregullime afatgjata.
Nuk ka trajtim specifik për chikungunya. Udhëtarëve u këshillohet të ndërmarrin masa parandaluese kundër pickimeve nga mushkonjat.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi për nevojën urgjente të veprimit për të shmangur një përsëritje të epidemisë së chikungunya që përfshiu botën dy dekada më parë.
Sipas OBSH-së, 5.6 miliardë njerëz në 119 vende janë të rrezikuar. Që nga viti 2004, përhapja është shtuar për shkak të përshtatjeve të virusit që e ndihmojnë të përhapet më lehtë. /Gazeta Shneta/




