Një studim i ri i botuar në “Cell”, ka zbuluar se rreth moshës 50 vjeçare, organet dhe indet e trupit përjetojnë një përshpejtim të dukshëm të procesit të plakjes.
Studiuesit, të udhëhequr nga Dr. Guang-Hui Liu nga Akademia Kineze e Shkencave, analizuan ndryshimet e proteinave të lidhura me moshën për të kuptuar më mirë ritmin e plakjes në pjesë të ndryshme të trupit.
Plakja është një proces degjenerues që prek disa organe dhe sisteme biologjike, por nuk ndodh gjithmonë me të njëjtin ritëm gjatë gjithë jetës.
Kërkimet e mëparshme kanë treguar se periudha të caktuara, si rreth moshës 44, 50 dhe 60 vjeç, mund të shoqërohen me rritje të shpejtë të ndryshimeve të lidhura me moshën, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Në këtë studim, u identifikuan 48 proteina të lidhura me sëmundje si kardiopatia dhe sëmundja e mëlçisë yndyrore, të cilat shfaqnin rritje të ekspresionit me kalimin e moshës.
Këto proteina shërbejnë si tregues të rëndësishëm biologjikë që mund të ndihmojnë në parashikimin dhe ndoshta në ngadalësimin e disa aspekteve të plakjes.
Sipas Dr. Liu, ende mbeten pyetje thelbësore pa përgjigje, si: a plaken të gjitha sistemet e trupit në të njëjtin ritëm dhe a ekziston një “qendër kontrolli” molekulare që koordinon plakjen në të gjithë organizmin?
Edhe pse nuk mund të ndalim plakjen, kuptimi i këtyre mekanizmave mund të hapë rrugën për strategji më të mira në ruajtjen e shëndetit dhe cilësisë së jetës me kalimin e viteve. /Gazeta Shneta/


