Shkencëtarët në Universitetin e Australisë së Jugut kanë zhvilluar një injeksion javor me veprim të zgjatur për trajtimin e sëmundjes së Parkinsonit, që mund të zëvendësojë tabletat e shumta të marra çdo ditë.
Ky inovacion, i zhvilluar pas mbi dy vitesh kërkime, synon të lehtësojë barrën e trajtimit për miliona njerëz në mbarë botën që aktualisht duhet të marrin ilaçe në orare të sakta, disa herë në ditë, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Parkinsoni, sëmundja e dytë neurodegjenerative më e përhapur pas Alzheimerit, prek mbi 10 milionë njerëz globalisht, me një incidencë 1.5 herë më të lartë te meshkujt.
Terapia standarde bazohet kryesisht në përdorimin e Levodopës dhe Karbidopës për kontrollin e simptomave si dridhjet, ngurtësimi muskulor, ngadalësimi i lëvizjeve dhe problemet e ekuilibrit.
Injeksioni i ri kombinon këto dy ilaçe në një dozë të vetme që lëshon gradualisht medikamentin për shtatë ditë, duke zëvendësuar tre deri në katër tableta ditore.
Sipas Prof. Sanjay Garg, kjo mund të përmirësojë ndjeshëm përputhshmërinë me trajtimin, pasi rreth 50% e pacientëve nuk ndjekin rregullisht udhëzimet e mjekut, sidomos në sëmundjet kronike.
Edhe pse ende nuk janë kryer prova klinike te njerëzit, testimet te kafshët priten të nisin së shpejti.
Organizata ‘Parkinson’s Australia’ e ka cilësuar zhvillimin si një hap të madh përpara, me potencial për të reduktuar rrezikun e rënieve dhe për të lejuar pacientët të marrin pjesë më aktivisht në jetën e përditshme, punë, sport dhe aktivitete vullnetare. /Gazeta Shneta/


