Një studim i publikuar në “The American Journal of Clinical Nutrition”, sugjeron se yndyra e ngopur, jo kolesteroli ushqimor, është faktori kryesor pas rritjes së kolesterolit në gjak. Në fakt, pjesëmarrësit që konsumuan dy vezë në ditë për pesë javë patën përmirësim të niveleve të kolesterolit.
Sipas autorit kryesor, prof. Jon Buckley nga Universiteti i Australisë së Jugut, nuk janë vezët ato për t’u shqetësuar në mëngjesin e gatuar, por ushqimet shoqëruese si proshuta ose sallami, të pasura me yndyrë të ngopur, shkruan burimi Health transmeton Gazeta Shneta.
Prej vitesh është debatuar nëse vezët rrisin LDL (“kolesterolin e keq”), pasi një vezë e madhe përmban rreth 200 mg kolesterol ushqimor.
Por kërkimet e fundit tregojnë se yndyra e ngopur, e pranishme në sasi të mëdha në ushqimet me kolesterol të lartë, është ajo që rrit LDL-në. Vezët, ndërkohë, kanë vetëm 1.6 gramë yndyrë të ngopur.
Studimi përfshiu 61 të rritur të shëndetshëm që ndoqën tre dieta për nga pesë javë secila: një dietë me shumë kolesterol dhe shumë yndyrë të ngopur (maksimum një vezë në javë), një dietë me shumë kolesterol dhe pak yndyrë të ngopur (dy vezë në ditë), dhe një dietë pa vezë por me shumë yndyrë të ngopur.
Rezultatet treguan se yndyra e ngopur lidhej me rritje të LDL-së, ndërsa kolesteroli ushqimor jo.
Ekspertët theksojnë se shumica e kolesterolit në gjak prodhohet nga mëlçia, dhe marrja e kolesterolit nga ushqimi shpesh kompensohet nga ulja e prodhimit të brendshëm. Për shumicën e njerëzve, vezët mund të jenë pjesë e një diete të shëndetshme për zemrën. /Gazeta Shneta/


