Gjykata Kushtetuese e Kosovës, të mërkurën, ka shpallur të papajtueshëm me Kushtetutën paragrafin 1 të nenit 11 të Statutit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, i miratuar nga Qeveria e Kosovës më 27 dhjetor 2023, i cili përcakton organizimin e shërbimeve shëndetësore në spitalet e përgjithshme.
Vendimi u mor pas kërkesës së Avokatit të Popullit, i cili argumentoi se ky nen ka reduktuar shërbimet shëndetësore duke mos përfshirë “kujdesin mendor” si shërbim dytësor të detyrueshëm në spitalet e përgjithshme, në kundërshtim me Ligjin për Shëndetin Mendor dhe Kushtetutën.
Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se lista e shërbimeve të përcaktuara në nenin 11 të Statutit është shteruese dhe përfshin vetëm kirurgjinë e përgjithshme, interno, pediatrinë, gjinekologjinë dhe obstetrikën, si dhe emergjencën mjekësore, duke lënë jashtë kujdesin mendor, transmeton Albanianpost.
Sipas Ligjit Nr. 05/L-025 për Shëndetin Mendor, spitalet e përgjithshme duhet të ofrojnë shërbime të kujdesit mendor përmes Departamenteve të Psikiatrisë.
Mos përfshirja e kujdesit mendor përbën kufizim të së drejtës për mbrojtje shëndetësore, të garantuar nga neni 51 i Kushtetutës, dhe është në kundërshtim edhe me nenin 7 [Vlerat] dhe nenin 92 [Parimet e Përgjithshme].
Gjykata urdhëroi Qeverinë që të plotësojë dhe ndryshojë nenin 11 të Statutit në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. Deri në ndryshimin e tij, spitalet e përgjithshme duhet të ofrojnë shërbimet shëndetësore, përfshirë kujdesin mendor, siç përcaktohet në Ligjin për Shëndetin Mendor.
Kërkesa për masë të përkohshme është refuzuar nga Kushtetuesja.




