Kompania “Medplus” është zënë duke falsifikuar dokumente në tenderë dy herë brenda 12 muajve. OSHP e ka futur sërish në listë të zezë.
Organi i Shqyrtimit Publik ka nxjerr dje një vendim me anë të të cilit e ka futur në listë të zezë kompaninë “Medplus” për shkak të konstatimit se ka falsifikuar dokumente në një tender në Komunën e Pejës, shkruan Gazeta Shneta.
Paneli Shqyrtues i OSHP-së e ka aprovuar kërkesën e Komunës së Pejës për ta diskualifikuar “Medplus” në tenderin për furnizim me barna dhe material shpenzues për plotësimin e mungesave me furnizim nga lista esenciale në QKMF.
Kjo kompani është diskualifikuar në kohëzgjatje prej një viti duke filluar nga 18.08.2025 deri më 17.08.2026, thuhet në vendimin e OSHP-së.
Arsye për këtë është se komuna e Pejës gjatë verifikimit të dokumentacionit ka konstatuar se një produkt i paraqitur në katalog nuk ka qenë i njëjti në katalogun origjinal.
Kjo kompani njëjtë kishte vepruar edhe në tetor të vitit të kaluar në një tender në Ministrinë e Shëndetësisë.
“Medplus” bashkë me “Radix Pharm” kishin prezantuar një certifikatë ISO të falsifikuar. Kjo ishte konstatuar nga MSh dhe ishte konfirmuar edhe nga lëshuesi i certifikatës të cilin kishin deklaruar se të njëjtës i kishte skaduar afati në vitin 2022.
OSHP për këtë rast i kishte diskualifikuar këto dy kompani me 6 muaj deri më 23.04.2025. /Gazeta Shneta/




