Një studim i ri nga Agjencia Australiane për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Sigurinë Bërthamore (ARPANSA) ka treguar se teknologjia moderne e radioterapisë po bën të mundur trajtimin e kancerit me më pak seanca, duke përdorur doza më të larta dhe më të targetuara.
Ekspertët shpjegojnë se kjo metodë, e njohur si radioterapi e hipofraksionuar, ul numrin e vizitave në klinikë dhe njëkohësisht ndihmon në shkatërrimin më efikas të qelizave tumorale, duke kursyer indet e shëndetshme.
Por, theksohet se margjina e gabimit është shumë e vogël, prandaj saktësia është thelbësore, shkruan MedicalXpress transmeton Gazeta Shneta.
Studimi ka analizuar mbi 700 trajtime në Australi dhe Zelandën e Re, duke vlerësuar saktësinë e terapisë tek pacientët me tumore në shtyllën kurrizore, mushkëri dhe inde të buta.
Rezultatet treguan se shumica e klinikave po arrijnë standardet ndërkombëtare të sigurisë dhe efikasitetit.
Sipas të dhënave, rreth 90 mijë pacientë në vit trajtohen me radioterapi në Australi. Duke qenë se kjo metodë kërkon më pak seanca, klinikat mund të trajtojnë një numër më të madh pacientësh, ndërsa pacientët përfitojnë kohë më të shkurtër trajtimi dhe rezultate më të mira.
Ky auditim i publikuar në revistën Journal of Applied Clinical Medical Physics pritet të shërbejë si pikë referimi jo vetëm për Australinë, por edhe për vendet e tjera në botë./Gazeta Shneta/


