Shteti amerikan i Misisipit ka shpallur emergjencë shëndetësore publike pasi regjistroi nivelin më të lartë të vdekshmërisë foshnjore në më shumë se një dekadë.
Vetëm në vitin 2024, janë shënuar 9.7 vdekje për çdo 1,000 lindje, mbi 60% më shumë se mesatarja kombëtare. Që nga viti 2014, mbi 3,500 foshnja kanë humbur jetën para se të mbushnin vitin e parë.
Autoritetet shëndetësore të shtetit po planifikojnë masa urgjente, si zgjerimi i kujdesit para dhe pas lindjes, hapja e qendrave në zonat ku mungon shërbimi obstetrik, programet e vizitave në shtëpi dhe edukimi për gjumin e sigurt të foshnjave, shkruan HealthDay transmeton Gazeta Shneta.
“Përmirësimi i shëndetit të nënës është mënyra më e mirë për të ulur vdekshmërinë foshnjore,” tha Dr. Dan Edney, shef i Shëndetit Publik në Misisipi.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se foshnjat me ngjyrë të zezë në Misisipi kanë normën më të lartë të vdekjeve në SHBA, me mbi 15 vdekje për 1,000 lindje vetëm në vitin 2024 – një rritje prej 24% krahasuar me vitin e mëparshëm.
Shkaqet kryesore përfshijnë lindjet e parakohshme, peshën e ulët, defektet e lindjes dhe sindromën e vdekjes së papritur të foshnjës (SIDS).
Ekspertët paralajmërojnë se kufizimet ligjore ndaj abortit mund të kenë ndikuar gjithashtu në këtë rritje, duke sjellë pasoja serioze për shëndetin e nënave dhe foshnjave.
Organizata March of Dimes e quajti këtë shpallje “një kujtesë të dhimbshme” për krizën amerikane të shëndetit amtar dhe foshnjor, ndërsa theksoi se Medicaid mbetet një hallkë jetike pasi mbulon më shumë se gjysmën e lindjeve në Misisipi./Gazeta Shneta/




