Instituti i Psikiatrisë Forenzike të Kosovës (IPFK) ka pritur një delegacion nga Spitali Psikiatrik Forenzik i Shkupit, në kuadër të një vizite zyrtare me synim shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e psikiatrisë forenzike.
Sipas njoftimit të SHSKUK – së, delegacioni ishte i udhëhequr nga drejtori i spitalit të Shkupit, Isa Avdullai, u prit nga drejtuesit dhe stafi profesional i IPFK-së dhe vizitoi nga afër të katër repartet e institucionit, transmeton Gazeta Shneta.
Drejtori i IPFK-së, Shpend Haxhibeqiri, prezantoi punën dhe funksionimin e institucionit, duke theksuar arritjet, sfidat dhe rëndësinë e trajtimit profesional e etik të pacientëve brenda sistemit të drejtësisë dhe shëndetit mendor.
“Delegacioni zhvilloi takime të ndara edhe me shefat e reparteve, ku u prezantuan protokollet e trajtimit dhe menaxhimit të pacientëve me nevoja psikiatrike forenzike. Po ashtu, kryeinfermieri i IPFK-së, z. Qemajl Krasniqi, prezantoi organizimin e stafit infermieror dhe ofrimin e kujdesit shëndetësor për pacientët, me theks të veçantë në edukimin e vazhdueshëm profesional në këtë fushë të specializuar.” thuhet në njoftimin e SHSKUK -së./Gazeta Shneta/



