Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se do ta ndalojnë fushatën e tyre të njohur “Tips From Former Smokers” në fund të muajit shtator, duke i dhënë fund një prej iniciativave më të suksesshme të shëndetit publik në luftën kundër duhanpirjes.
E nisur në vitin 2012, fushata prezantonte rrëfimet e personave të prekur nga pasojat e rënda të duhanpirjes, duke i drejtuar qytetarët drejt ndihmës falas për lënien e duhanit, si linja telefonike 800-QUIT-NOW.
Studimet treguan se çdo herë që reklamat transmetoheshin, thirrjet në këtë linjë shumëfishoheshin, ndërsa rënia ishte e menjëhershme kur ato ndërpriteshin, shkruan HealthDay transmeton Gazeta Shneta.
Sipas hulumtimeve, kjo fushatë ka ndihmuar miliona amerikanë të tentojnë lënien e duhanit dhe mbi 1 milion persona ta arrijnë atë përgjithmonë, duke kursyer miliarda dollarë në shpenzime shëndetësore.
Megjithatë, për shkak të ndryshimeve në strukturën e financimit të programeve për sëmundjet kronike, kontrata aktuale e fushatës nuk do të rinovohet. Ekspertët e shëndetit publik paralajmërojnë se kjo mund të ndikojë edhe në funksionimin e linjave telefonike shtetërore për ndalimin e duhanit, të cilat mbështeten kryesisht nga CDC.
Një zyrtar i CDC-së deklaroi për CBS News se ky vendim “nuk është thjesht kursim buxhetor, por një hap që do të kushtojë jetë njerëzish dhe miliona dollarë në trajtime shëndetësore”./Gazeta Shneta/


