Drejtoresha e Klinikës së Endokrinologjisë, Dr. Merita Emini-Sadiku, ka paralajmëruar qytetarët, veçanërisht të rinjtë dhe të rejat me obezitet, për përdorimin e paautorizuar të Liotironinës (T3/Tiromel) për humbje peshe.
Në një postim në Facebook ajo shpjegon se ky hormon tiroidien sintetik nuk është i miratuar për menaxhimin e obezitetit dhe përdorimi i tij mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore, përfshirë aritmi, humbje të masës muskulore, osteoporozë dhe shqetësime të tjera kardiake, transmeton Gazeta Shneta.
Dr. Emini-Sadiku thekson se humbja e peshës nga Liotironina nuk është rezultat i djegies së yndyrës në mënyrë të shëndetshme, por më shumë pasojë e dehidrimit dhe shkatërrimit të masës muskulore, ndërsa pas ndërprerjes shpesh ndodh rikthim i shpejtë i peshës./Gazeta Shneta/
Postimi i plotë:
Disa të rinj dhe të reja me obezitet pa rekomamdim të mjekut endokrinolog por nga ndikimi i rrjeteve sociale prej “profesionistëve” jo kompetent po përdorin terapi me Liotiroinin për me humb peshë


Liotironina, T3 ose Tiromel është hormon tiroidien sintetik dhe nuk duhet të përdoret për ulje peshe, sepse:

Nuk është i miratuar në Udhërrëfyesit klinike për menaxhimin e obezitetit.

Mund të shkaktojë hipertiroidizëm iatrogjen (palpitacione, aritmi, ankth, insomni, humbje të masës muskulore).

Rrit rrezikun për osteoporozë dhe probleme kardiake (aritmi por edhe insufiçiencë kardiake).

Humbja e peshës që ndodh nga përdorimi i saj është më shumë nga shkatërrimi i masës muskulore dhe dehidrimi, jo nga djegia e yndyrës në mënyrë të shëndetshme.

Pas ndërprerjes, shpesh ndodh rikthim i shpejtë i peshës.

Në udhëzimet ndërkombëtare (p.sh. Endocrine Society, ADA, AACE/ACE), trajtimi i obezitetit bazohet në:

Ndryshimin e stilit të jetës (ushqim i shëndetshëm dhe aktivitet fizik).

Përdorimin e terapisë farmakologjike të aprovuar për obezitet (p.sh. orlistat, liraglutide, semaglutide, tirzepatide etj).

Kirurgjia bariatrike, në raste të veçanta

Prandaj, përdorimi i Liotironinës/T3/Tiromel për dobësim është jashtë udhëzimeve, i pasigurt dhe i rrezikshëm.