Nëna e foshnjës nuk ishte vaksinuar kundër sëmundjes shumë ngjitëse, e cila prek mushkëritë dhe rrugët e frymëmarrjes. Një foshnje në Mbretërinë e Bashkuar ka vdekur nga kolla e mirë (pertusisi) duke shënuar vdekjen e parë të tillë në vend këtë vit.
Kolla e mirë, ose pertusisi, mund të jetë fatale për foshnjat, të cilat janë në rrezik më të lartë për sëmundje të rënda ose vdekje. Fëmija, i cili mendohet të jetë nën një vjeç, u sëmur dhe vdiq midis marsit dhe qershorit të këtij viti, sipas Agjencisë për Sigurinë Shëndetësore të MB-së (UKHSA), e cila është përgjegjëse për mbrojtjen e publikut nga sëmundjet ngjitëse dhe kërcënimet e tjera, raporton The Guardian tranmseton Gazeta Shneta.
Kjo ndjek vdekjen e një fëmije nga fruthi në spitalin e fëmijëve “Alder Hey”, në Liverpool muajin e kaluar dhe vdekjet e vitit të kaluar të 11 fëmijëve në Angli pas një shpërthimi të kolles së mirë.
Ndërkohë, agjencia paralajmëroi javën e kaluar se normat e vaksinimit për fëmijët e shkollës fillore ishin në nivelin më të ulët për 15 vitet e fundit.
Afërsisht një në pesë fëmijë që fillojnë shkollën fillore këtë javë në Angli nuk janë plotësisht të mbrojtur nga sëmundjet, përfshirë kollën e mirë, polion, tetanusin dhe difterinë. Kjo vendos Mbretërinë e Bashkuar shumë poshtë pragut prej 95% për imunitetin e tufës sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të gjitha vaksinat e fëmijërisë.
Vetëm 83.7% e fëmijëve pesëvjeçarë kanë marrë të dy dozat e vaksinës kundër fruthit, të shytave dhe rubeolës (MMR), ndërsa përdorimi i vaksinës ‘katër-në-një’ për parashkollorët – që mbron kundër polios, kollës, tetanusit dhe difterisë – ishte 81.4% tek fëmijët pesëvjeçarë në Angli.
Nga viti i ardhshëm, NHS do të fillojë vaksinimin e të gjitha foshnjave kundër variçelës duke e kombinuar atë me vaksinën MMR në një vaksinë të re MMRV. /Gazeta Shneta/




