Në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare të QKUK-së është realizuar me sukses një ndërhyrje delikate në arterien karotide (arteria që furnizon trurin me gjak) të një pacienti 84-vjeçar.
Sipas njoftimit zyrtar të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK), në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare të QKUK-së u krye me sukses një operacion në arterien karotide të një pacienti 84-vjeçar.
Pacienti, i cili para dy javësh kishte përjetuar një atak ishemik tranzitor, iu nënshtrua operacionit për shkak të ngushtimit rreth 80% të arteries karotide interne të djathtë, transmeton Gazeta Shneta.
Operacioni u krye me anestezion lokal, një metodë inovative që shmang nevojën për anestezion të përgjithshëm dhe zvogëlon rreziqet e mundshme. Gjatë procedurës, pacienti qëndroi i vetëdijshëm dhe nën monitorim të vazhdueshëm, duke rritur sigurinë dhe efikasitetin e ndërhyrjes.
Avantazhet e kësaj metode përfshijnë rikuperim më të shpejtë, ulje të rreziqeve kardiopulmonare, qëndrim më të shkurtër në spital dhe rehabilitim më të lehtë.
Operacioni u krye nga ekipi i mjekëve: Dr. Hajri Rudari, Dr. Harjeta Zherka-Saraqini, Dr. Lendita, Dr. Lavdim Morina dhe Dr. Pranvera Maloku, me ndihmën e instrumentisteve dhe teknikëve të anestezionit Mirdita Menxhiqi dhe Mirvete Hajdini. /Gazeta Shneta/




