Një studim i ri nga University of South Florida, i publikuar në revistën Menopause, ka zbuluar se ndryshimet hormonale gjatë menopauzës ndikojnë dukshëm në zërin e grave – një temë shpesh e anashkaluar në shëndetin e grave.
Sipas studimit të udhëhequr nga Dr. Yael Bensoussan, drejtoreshë e USF Health Voice Center, dhe profesoreshës Rupal Patel, gratë që përdorin zërin si mjet pune – si mësueset, aktoret dhe veçanërisht këngëtaret janë më të rrezikuara nga problemet vokale, përfshirë ngjirjen, ashpërsinë dhe humbjen e stabilitetit të zërit.
Autorët theksojnë se rënia e estrogjenit dhe progesteronit ndikon në indet e laringut dhe ndryshon cilësinë e zërit. Trajtimet e mundshme përfshijnë terapi vokale, hidratim, terapi hormonale në bashkëpunim me gjinekologun dhe madje edhe injeksione të kordave vokale, shkruan MedicalXpress transmeton Gazeta Shneta.
Një risi që përmendet në studim është përdorimi i biomarkerëve vokalë me inteligjencë artificiale, të cilët mund të identifikojnë ndryshime të hershme në zë pa metoda invazive.
Dr. Bensoussan theksoi se shumë gra shpesh neglizhohen nga profesionistët e shëndetit, të cilët simptomat i lidhin me refluks ose laringit, duke mos marrë parasysh ndikimin hormonal. Ajo gjithashtu ngriti shqetësimin për terapinë me testosteron që disa gra marrin në menopauzë, e cila mund të shkaktojë një “zë më mashkullor” – pa paralajmërim të mjaftueshëm për pasojat.
“Duhet më shumë bashkëpunim mes specialistëve të zërit dhe gjinekologëve, si dhe më shumë ndërgjegjësim se hormonet kanë ndikim të madh në zë,” tha Bensoussan, duke shtuar se kërkimet e reja synojnë të krijojnë një bazë të dhënash të zërave njerëzorë përmes AI, për të ndihmuar në diagnostikim të hershëm.


