Administrata e Ushqimit dhe Barnave në SHBA (FDA) ka lëshuar një udhëzim të ri në formë drafti, me synimin të nxisë zhvillimin dhe përdorimin e trajtimeve jopiodike për dhimbjen kronike, duke reduktuar kështu varësinë dhe abuzimin me opioidë.
Komisioneri i FDA-së, Dr. Marty Makary, tha se kriza e opioideve ende nuk ka përfunduar dhe se mjekët kanë nevojë për më shumë alternativa të sigurta për pacientët me dhimbje afatgjata.
“Ky udhëzim e bën më të qartë dhe më të parashikueshëm procesin për zhvilluesit e barnave, duke ndihmuar që trajtime më efektive dhe me rrezik më të ulët të arrijnë më shpejt te pacientët,” theksoi ai.
Sipas të dhënave, rreth 1 në 5 të rritur amerikanë me dhimbje kronike trajtohen me opioide, kryesisht për mungesë të alternativave.
Drafti i FDA-së përcakton rrugë më efikase për zhvillimin e barnave jopiodike, përfshirë struktura të reja të provave klinike, zgjedhjen e pacientëve dhe matjen e rezultateve me ndikim real, si ulja e varësisë nga opioidët.
FDA ka bërë të ditur se komentet publike për këtë udhëzim do të pranohen për 60 ditë, duke nisur nga 11 shtatori 2025.
Ky veprim është pjesë e strategjisë së gjerë të agjencisë për të luftuar krizën e opioideve, që përfshin edhe rishikime të etiketave të sigurisë për analgjezikët opioidë dhe masa më të ashpra kundër tregtimit të paligjshëm./Gazeta Shneta/


