Republika e Kosovës, përmes Komitetit Ndërministror për One Health, është bërë anëtare e Fondacionit për One Sustainable Health në Francë dhe e Rrjetit Ballkanik për One Health (BOHN).
Sipas njoftimit, ky anëtarësim shënon një avancim të rëndësishëm për Kosovën në iniciativat ndërkombëtare që promovojnë qasjen One Health, e cila ndërthur shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe mjedisit në një kornizë të përbashkët bashkëpunimi, përcjell Gazeta Shneta.
Në kuadër të këtij zhvillimi, presidenti i fondacionit, Benoit Miribel, nën kujdesin e Institutit Pasteur, vizitoi Ministrinë e Shëndetësisë, ku ka premtuar mbështetje konkrete për ngritjen e kapaciteteve laboratorike në vend.
Në njoftim theksohet se përmes këtij rrjetëzimi, Kosova do të përfitojë nga shkëmbimi i ekspertizës shkencore, pjesëmarrja në projekte të përbashkëta me shtetet e rajonit dhe BE-së, qasje në programe kërkimore e fonde ndërkombëtare, si dhe forcim të kapaciteteve për menaxhimin e krizave shëndetësore dhe emergjencave mjedisore./Gazeta Shneta/




