Klinika e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka publikuar të dhënat mbi punën e kryer gjatë vitit 2024.
Sipas njoftimit, gjatë vitit të kaluar në këtë klinikë janë trajtuar gjithsej 20,836 paciente, ndërsa janë regjistruar 8,114 lindje, prej të cilave 5,773 lindje normale dhe 2,341 me prerje cezariane, shkruan Gazeta Shneta.
Po ashtu, janë kryer 2,972 operacione të mëdha gjinekologjike, 1,899 ndërhyrje kirurgjike me anestezion intravenoz të shkurtër, dhe 212 ndërhyrje me anestezion lokal.
Ndërkohë, 7,639 paciente kanë marrë trajtim konservativ, kurse janë realizuar gjithsej 35,872 vizita ambulatore.
Nërkaq Klinika e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në QKUK apelon te të gjitha pacientet dhe familjarët që të japin sugjerime, rekomandime apo ankesa në mënyrë konstruktive, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për përmirësimin e cilësisë së kujdesit ndaj çdo pacienteje.
“Kolegjiumi Profesional shpreh gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me të gjitha pacientet dhe familjarët e tyre në drejtim të përmirësimit të cilësisë së kujdesit. Ne mirëpresim çdo sugjerim, rekomandim apo edhe ankesë që bëhet në mënyrë konstruktive dhe me qëllim të avancimit të shërbimeve shëndetësore.
Ftojmë të gjitha gratë, nënat dhe pacientet që marrin trajtim në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, që në rast të ndonjë pakënaqësie apo shqetësimi, të drejtohen në mënyrë të rregullt dhe me shkrim: tek Klinika e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës; tek Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave të Pacientëve – QKUK/ShSKUK; apo edhe tek organet e tjera kompetente në nivel vendi. Ne besojmë se vetëm përmes bashkëpunimit dhe komunikimit të ndërsjellë mund të arrijmë standarde edhe më të larta të trajtimit dhe kujdesit ndaj çdo pacienteje.” – thuhet në njoftimin e Klinikës./Gazeta Shneta/




