Një studim i prezantuar në takimin vjetor të Shoqatës Evropiane për Studimin e Diabetit (EASD) në Vjenë ka treguar se pirja e duhanit rrit ndjeshëm rrezikun për zhvillimin e diabetit tip 2, pa marrë parasysh në cilin nën–tip shfaqet kjo sëmundje.
Kërkues nga Suedia, Norvegjia dhe Finlanda analizuan të dhënat e mbi 7 mijë personave dhe zbuluan se si duhanpirësit aktualë ashtu edhe ata që kanë lënë duhanin më parë kishin rrezik më të lartë për të zhvilluar të katër nën–tipet e diabetit tip 2:
- SIRD (diabeti i rëndë i rezistencës ndaj insulinës),
- SIDD (diabeti i rëndë me mungesë insuline),
- MOD (diabeti i lehtë i lidhur me obezitetin),
- MARD (diabeti i lehtë i lidhur me moshën).
Rezultatet treguan se lidhja më e fortë ishte me nën–tipin SIRD, ku duhanpirësit kishin mbi dyfishin e gjasave për ta zhvilluar krahasuar me ata që nuk pinin duhan. Rreziku rritej edhe më shumë te duhanpirësit e rëndë dhe ata me predispozitë gjenetike për diabet.
Interesante ishte edhe gjetja se përdorimi i snus-it (duhan pa tym që konsumohet në Skandinavi) lidhej me rrezik më të lartë për nën–tipet e rënda SIRD dhe SIDD.
Autorja kryesore e studimit, Emmy Keysendal nga Karolinska Institutet në Stokholm, theksoi se pirja e duhanit dëmton ndjeshmërinë e trupit ndaj insulinës dhe se ndalimi i duhanit është një hap kyç në parandalimin e diabetit tip 2, veçanërisht për ata me rrezik gjenetik të lartë.


