Mjekët duhet të kuptojnë sjelljet e të ushqyerit të pacientëve para se të përshkruajnë ilaçe për humbje peshe, sugjeron një studim i ri.
Sipas hulumtimit, personat që hanë tepër për arsye emocionale përfitojnë më pak nga barnat e njohura si Ozempic, Wegovy apo Mounjaro – të cilat i përkasin klasës së agonistëve të receptorëve GLP-1 dhe veprojnë duke imituar një hormon që ul oreksin, shkruan Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Studiues në Japoni ndoqën për një vit 92 pacientë me diabet, duke analizuar dietën, treguesit në gjak, peshën dhe përbërjen trupore.
Mes tjerash, zbuluan se ata që hanin më shumë për shkak të pamjes apo aromës së ushqimit humbnin peshë dhe përmirësonin nivelet e sheqerit në gjak në mënyrë më të qëndrueshme.
Ndërkohë, ata që përdornin ushqimin si mjet për të përballuar emocionet kishin më pak rezultate pozitive.
“Individët me prirje të theksuara drejt të ngrënit emocional mund të kenë nevojë për mbështetje shtesë psikologjike apo sjellore”, tha Dr. Takehiro Kato, lektor në Universitetin Gifu.
Ai theksoi se të ngrënit emocional ndikohet më shumë nga faktorë psikologjikë, të cilët nuk trajtohen drejtpërdrejt nga terapia me GLP-1. /Gazeta Shneta/


