Një studim i udhëhequr nga UCLA, i botuar në revistën Cancers, ka treguar se një teknikë kirurgjikale e zhvilluar për të mbrojtur shikimin e pacientëve me melanomë uveale – një formë e rrallë e kancerit të syrit – mund të ketë edhe efekt në mbijetesën afatgjatë, duke ulur rrezikun e përhapjes së sëmundjes.
Kombinimi i brachytherapy (rrezatim i synuar) me një procedurë që zëvendëson xhelin e syrit me vaj silikoni, i aplikuar tek shumica e 37 pacientëve të ndjekur për më shumë se katër vjet, rezultoi me mbi 80% të pacientëve pa metastaza dhe vetëm një vdekje nga sëmundja.
Historikisht, rreth 30% e pacientëve me këtë kancer zhvillojnë metastaza, kryesisht në mëlçi, me mbijetesë shumë të ulët pas pesë vjetësh.
Përveç ruajtjes së shikimit, studiuesit vunë re se edhe pacientët me rrezik të lartë gjenetik kishin norma të ulëta metastazash, duke sfiduar pritshmëritë tradicionale.
Sipas dr. Tara McCannel, autore kryesore dhe drejtuese e Qendrës së Onkologjisë Oftalmike në Stein Eye Institute, ky zbulim është një “game-changer” për trajtimin e melanomës uveale.
Megjithëse rezultatet janë premtuese, kërkuesit theksojnë se nevojiten studime të tjera për të kuptuar nëse përmirësimet vijnë nga teknika kirurgjikale, mënyra e shpërndarjes së rrezatimit apo faktorë të kombinuar. Po ashtu, ata nënvizuan nevojën për trajnime të specializuara për okulistët onkologë që ta aplikojnë këtë metodë komplekse.


