Një studim i ri nga Imperial College London dhe London School of Hygiene & Tropical Medicine tregon se ndryshimet klimatike shkaktuan 16,500 vdekje shtesë këtë verë në Evropë, duke qenë përgjegjëse për 68% të 24,400 vdekjeve totale nga të nxehtit.
Analiza e 854 qyteteve evropiane zbuloi se temperaturat ishin rritur deri në 3.6°C si pasojë e djegies së lëndëve fosile dhe shpyllëzimit.
Vendet më të goditura nga një valë e vetme e të nxehtit ishin Rumania, Bullgaria, Greqia dhe Qiproja, ku brenda një jave u regjistruan rreth 950 vdekje, shkruan Euronews transmeton Gazeta Shneta.
Numrin më të madh të vdekjeve të lidhura me të nxehtin e pati Italia (4,597), e ndjekur nga Spanja (2,841), Gjermania (1,477) dhe Franca (1,444).
Shumica e viktimave ishin persona mbi 65 vjeç, duke treguar se popullsia e moshuar është më e rrezikuara.
Ekspertët paralajmërojnë se valët e të nxehtit janë “vrasës të heshtur”, pasi shpesh shoqërohen me komplikime të sëmundjeve ekzistuese, por nuk shënohen në certifikatat e vdekjes.
Edhe pse shumë qytete evropiane kanë sisteme paralajmërimi dhe plane veprimi, numri i viktimave mbetet i lartë.
Sipas studiuesve, edhe disa gradë shtesë mund të bëjnë diferencën mes jetës dhe vdekjes për mijëra njerëz.
Ata theksojnë se pa ulje urgjente të emetimeve të gazeve serrë, adaptimi nuk do të mjaftojë për të parandaluar rritjen e mëtejshme të viktimave nga të nxehtit ekstrem./Gazeta Shneta/




