Oda e Farmacistëve të Kosovës e ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Farmacistit me një tryezë ku kanë marr pjesë përfaqësues të institucioneve dhe organizatave që merren me farmaci.
Kryetari i Odës së Farmacistëve, Kadri Bytyqi, ka thënë se ky 25 Shtator shënohet me të rritura por edhe me sfida.
“Të arriturat janë duke filluar nga dixhitalizimi i sistemit për anëtarët tanë. Është harmonizu statuti dhe rregulloret. E kemi draftu Strategjinë nacionale të farmacisë ku janë paraparë të gjitha rrugët se si të arrihet deri tek e ardhmja shumë më e mirë e komunitetit tonë”, ka thënë Bytyqi.
Ai ka shtuar se të gjitha avokimet e tyre nuk janë drejtuar ndaj askujt, kanë qenë multilaterale, nuk na ka interesuar asnjëherë se ku punon farmacisti në publik apo privat. “Kemi sfida të shumta që i kemi adresuar sidomos për sektorin publik për koeficientin e pagave. Nuk kemi alternativë tjetër përveç të punojmë së bashku për të mirën e të gjithëve”, ka deklaruar Bytyqi.
Elvir Azizi, drejtori i SHSKUK-së i cili me profesion është gjithashtu farmacist, e ka përgëzuar OFK-në për draftimin e Strategjisë nacionale.
“Puna e farmacistëve në institucionet publike, nuk është vetëm tek koeficienti, por një psikolog klinik për mua nuk mund të jetë i barabartë me farmacistin klinik. Kushdo që e ka punuar ligjin ia ka huq me rastin e farmacistit”, ka thënë Azizi.
“Statuti i QKUK-së është dorëzuar në zyrën ligjore dhe besoj që javën e ardhshme do të dal në dëgjim institucional. Aty është paraparë një shërbim farmaceutik me tre njësi, për furnizim, farmacia klinike dhe toksikologjia. Tashmë laboratori toksikologjik është pajis dhe reagensat kanë ardhë. Besoj që do të fillojnë punën brenda 10 dite”, ka thënë Azizi.
Azizi ka thënë se po planifikojnë që të punësojnë farmacistë me kontrata me afat të caktuar, në mënyrë që të zëvendësohen farmacistët që kanë marr specializimin për farmaci klinike.
Ismajl Shurdhaj, kryetar i Shoqatës së Distributorëve Farmaceutik, ka thënë se imazhi i farmacistit nuk ka qenë më i miri që nga pas lufta meqë ky sektor është goditur nga bizneset.
“Fatmirësisht numri i farmacistëve po rritet dhe tani jemi në kohën kur duhet të kemi unitet dhe ta jetësojmë strategjinë sa më parë”, ka thënë Shurdhaj.
Profesor Adnan Bozalija nga Fakulteti i Farmacisë në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se Ligji për Shëndetësi në rastin e farmacistëve nuk po respektohet.
“Oda na mbledh të gjithëve sepse ne të gjithë jemi farmacista, pavarësisht pozitave apo institucioneve. Fakulteti është referencë për gjithçka, por deri më tani askush nuk ka kërkuar ndihmë nga fakulteti. Në bazë të ligjit për shëndetësi punëtorë shëndetësor thuhet qartë se kush, mjeku, stomatologu dhe farmacisti. Por deri më tani ligji në këtë pikë për farmacistin gjithmonë është shkelur nga të gjithë ministrat”, ka deklaruar Bozalija. /Gazeta Shneta/





