Një studim paraprak, i paraqitur në Konferencën Ndërkombëtare të Strokut nga Shoqata Amerikane, sugjeron se propranololi – një beta-bllokues i përdorur për trajtimin e hipertensionit dhe parandalimin e migrenës – mund të ulë ndjeshëm rrezikun e goditjes ishemike tek gratë që e përdorin për migrenë, sidomos tek ato pa aurë.
Migrena pa aurë është më e zakonshme dhe lidhet me një rrezik më të madh për goditje në tru. Ndërsa aura paraqitet si një grup simptomash neurologjike, si probleme me shikimin, ndryshime shqisore ose vështirësi në të folur, që shfaqen para fillimit të dhimbjes së kokës, shkruan Medical Xpress transmeton Gazeta Shneta.
Dhimbjet e migrenës janë të përhapura, duke ndodhur tre herë më shpesh tek gratë sesa tek burrat. Ato përbëjnë jo vetëm një gjendje dobësuese, por edhe një faktor rreziku shpesh të nënvlerësuar për sëmundjet kardiovaskulare.
Sipas analizave, gratë që merrnin propranolol kishin deri në 52% më pak rrezik për të pësuar goditje ishemike, ndërsa një studim tjetër tregoi një ulje prej 39%. Në kontrast, nuk u vërejt asnjë përfitim i ngjashëm tek burrat.
“Shumë gra vuajnë nga migrena dhe është e rëndësishme të theksojmë se propranololi mund të jetë i dobishëm për to, sidomos për ato që përjetojnë migrenë pa aurë,” tha Dr. Mulubrhan Mogos, autor i studimit dhe profesor në Universitetin Vanderbilt.
Edhe pse rezultatet janë premtuese, studiuesit theksojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar plotësisht rolin e propranololit në reduktimin e rrezikut të goditjes. /Gazeta Shneta/


