Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka nisur përgatitjet për hapjen e Repartit të Kardiologjisë, ku do të ofrohen edhe shërbime të avancuara si vendosja e stentave.
Drejtori i Klinikës së Kardiologjisë në QKUK, Dr. Faik Shatri, gjatë ditës së sotme ka vizituar Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, ku është zhvilluar një takim pune për planifikimin e hapjes së Repartit të Kardiologjisë.
Nga spitali bëjnë të ditur se ky repart do të mundësojë ofrimin e shërbimeve të avancuara, përfshirë vendosjen e stentave kardiologjike, gjë që pritet të përmirësojë ndjeshëm trajtimin e pacientëve, transmeton Gazeta Shneta.
Sipas njoftimit tre mjekë specialistë të kardiologjisë nga Spitali i Pejës janë duke ndjekur trajnim në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK, si pjesë e përgatitjeve profesionale për funksionalizimin e këtij shërbimi.
Spitali i Pejës ka theksuar se po punon për krijimin e kushteve të nevojshme që ky repart të hapet sa më shpejt dhe të vihet në shërbim të qytetarëve të Pejës dhe rajonit./Gazeta Shneta/




