Një sëmundje që dikur ishte e rrallë po rikthehet me shpejtësi në SHBA. Bëhet fjalë për kollën e mirë (pertussis), e cila sipas ekspertëve ka kaluar tashmë nivelet para pandemisë.
Sipas një studimi të publikuar më 3 tetor në revistën Pediatrics, ndërsa tek të rriturit sëmundja shkakton lodhje dhe kollë të fortë me “whoop”, tek foshnjat e porsalindura mund të jetë kërcënuese për jetën. ‘
Më të rrezikuarit janë fëmijët nën moshën dy muajsh, të cilët në shumicën e rasteve përfundojnë në spital, shkruan HealthDay transmeton Gazeta Shneta.
“Simptomat te foshnjat shpesh janë ndryshe – karakteristika tipike e kollës me ‘whoop’ mund të mungojë, por shfaqet apnea, pra ndërprerja e frymëmarrjes,” tha autorja kryesore e studimit, Dr. Caitlin Li nga Spitali i Fëmijëve Ann & Robert H. Lurie në Çikago.
Ajo shtoi se në disa raste tek foshnjat shfaqen edhe nivele shumë të larta të qelizave të bardha, të cilat mund të ngatërrohen me kancer ose gjendje të tjera serioze.
Për këtë arsye, mjekët këshillohen të dyshojnë për kollën e mirë sa herë që tek foshnjat shfaqen nivele të larta të leukociteve.
Ekspertët theksojnë rëndësinë e vaksinimit të nënave gjatë shtatzënisë, pasi kjo mbron të porsalindurit nga një sëmundje potencialisht fatale. Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) rekomandojnë marrjen e vaksinës Tdap ndërmjet javës së 27 dhe 36 të shtatzënisë, për të kaluar antitrupa mbrojtës te fetusi.
Vaksina kundër pertusisit është pjesë e programit rutinë për fëmijët në moshën 2, 4, 6, 15–18 muaj dhe përsëritet në moshën 4–6 vjeç. Një dozë përforcuese rekomandohet në moshën 11–12 vjeç, si dhe doza shtesë deri në 18 vjeç.
Trajtimi i hershëm mbetet vendimtar, nisja e menjëhershme e antibiotikëve ndihmon në uljen e simptomave dhe parandalon përhapjen e sëmundjes./Gazeta Shneta/


