Dihet prej kohësh se pijet e ëmbëlsuara me sheqer – si pijet me gaz – nuk janë një zgjedhje e shëndetshme. Tani, një studim i ri ka zbuluar një rrezik shtesë: konsumimi i tyre lidhet me një probabilitet më të lartë për zhvillimin e kancerit të zgavrës së gojës (OCC).
Studimi i botuar në revistën “JAMA Otolaryngology–Head & Neck Surgery”, përfshiu të dhënat e mbi 162,000 grave. Nga këto, 124 u diagnostikuan me OCC gjatë periudhës së studimit.
Rezultatet treguan se gratë që pinin të paktën një pije të ëmbëlsuar në javë kishin rreth 4.9 herë më shumë rrezik për OCC krahasuar me ato që konsumonin më pak se një në muaj.
Ky rrezik mbetej i lartë edhe kur merren parasysh faktorë të tjerë të njohur, si pirja e duhanit apo përdorimi i alkoolit. Madje, tek gratë që nuk pinin duhan apo alkool, një pije e ëmbël në ditë shoqërohej me mbi pesë herë më shumë gjasa për të zhvilluar OCC, shkruan burimi Health transmeton Gazeta Shneta.
Kanceri i zgavrës së gojës përfshin tumoret që shfaqen në gjuhë, mishrat e dhëmbëve, bajame apo pjesë të tjera të gojës. Ky lloj kanceri është më i zakonshëm tek burrat dhe zakonisht lidhet me duhanin ose alkoolin. Megjithatë, ekspertët po vërejnë një rritje të rasteve tek gratë që nuk kanë këta faktorë rreziku tradicionalë.
“Ne kemi filluar të shohim një rritje të incidencës së kancerit të gojës tek gratë jo-duhanpirëse,” theksoi autorja e studimit, Dr. Brittany Barber nga Universiteti i Uashingtonit.
Sipas saj, këto gjetje ngrenë pyetje të reja për rolin e dietës në shëndetin afatgjatë.
Ky studim hap rrugën për kërkime të tjera mbi ndikimin e ushqimit dhe zakoneve të përditshme në shfaqjen e kancerit. /Gazeta Shneta/


