Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka miratuar një version të ri të ilaçit të njohur për insuficiencë kardiake, Lasix ONYU (furosemide injection), i cili mund të përdoret në kushte shtëpie, pa nevojën e trajtimit në spital.
Ky kombinim i ri ilaç-pajisje, i zhvilluar nga kompania SQ Innovation, Inc., lejon që pacientët me dështim kronik të zemrës dhe mbajtje të lëngjeve të marrin terapinë nëpërmjet infuzionit nën lëkurë, në vend të trajtimit tradicional me infuzion intravenoz në spital.
Sipas Dr. Pieter Muntendam, drejtor ekzekutiv i kompanisë, kjo qasje “mund të jetë transformuese në kujdesin për pacientët me dështim të zemrës”, duke ofruar më shumë komoditet, kursim kohe dhe kosto më të ulëta, shkruan MedicalXpress transmeton Gazeta Shneta.
Rreth 6.7 milionë amerikanë vuajnë nga dështimi i zemrës — një numër që pritet të arrijë në 8.7 milionë deri në vitin 2030. Sëmundja është ndër shkaqet kryesore të shtrimeve në spital tek personat mbi 65 vjeç.
Në testimet klinike, Lasix ONYU tregoi efikasitet të ngjashëm me trajtimin në spital, me një përthithje të lartë në trup dhe rezultate të krahasueshme në eliminimin e lëngjeve.
Pajisja është e vogël, e veshshme, dhe përbëhet nga njësi të ripërdorshme dhe pjesë njëpërdorimëshe që ndihmojnë në uljen e kostos së trajtimit.
Sipas ekspertëve, kjo risi mund të ndryshojë mënyrën e trajtimit të pacientëve me dështim të zemrës, duke u dhënë mundësinë të qëndrojnë në shtëpi, nën monitorim të rregullt nga mjekët, pa pasur nevojë për shtrime të gjata spitalore.


