Pacientët që përballen me pasiguri ushqimore apo ndihen të vetmuar kanë shumë më shumë gjasa të zhvillojnë dhimbje kronike pas operacionit, sipas një hulumtimi të ri të prezantuar në takimin vjetor të Shoqatës Amerikane të Anestezistëve.
Sipas studimit, deri në 30–50% e pacientëve kirurgjikalë përjetojnë dhimbje që zgjasin më shumë se tre muaj pas operacionit.
Megjithatë, përveç faktorëve mjekësorë, rrethanat sociale – si mungesa e ushqimit të shëndetshëm apo izolimi social – luajnë një rol të madh në mënyrën se si pacientët shërohen.
Ekspertët theksojnë se mungesa e ushqimit ushqyes ngadalëson shërimin e plagëve dhe rrit inflamacionin, duke e bërë më të mundshme që dhimbja të zgjasë më gjatë. Nga ana tjetër, stresi i vetmisë mund të tejstimuloj sistemin nervor dhe ta përforcojë ndjesinë e dhimbjes.
“Studimi ynë tregon se gjendja sociale e një personi mund të jetë po aq e rëndësishme sa gjendja fizike në procesin e rikuperimit,” ka thënë Dr. Louie Rodriguez nga Universiteti i Kalifornisë, San Diego.
Në analizën e të dhënave të 8,065 pacientëve, studiuesit zbuluan se pasiguria ushqimore ishte faktori më i fortë parashikues për zhvillimin e dhimbjeve kronike.
Pacientët që kishin mungesë të aksesit në ushqim kishin 83% më shumë gjasa të zhvillonin dhimbje të vazhdueshme pas operacionit. Po ashtu, mungesa e mbështetjes sociale dhe ndjenja e vetmisë ishin faktorë shtesë që ndikonin negativisht.
Sipas autorëve të studimit, mjekët duhet të jenë të vetëdijshëm për këta faktorë dhe të vlerësojnë gjendjen sociale të pacientëve para ndërhyrjes kirurgjike, në mënyrë që të mund të ndërhyjnë herët me ndihmë psikosociale apo asistencë ushqimore.
“Pacientët duhet të ndihen të lirë të flasin me mjekët për sfidat e tyre sociale, si mungesa e ushqimit apo vetmia, pasi ndihma e duhur mund të përshpejtojë shërimin dhe të zvogëlojë rrezikun e dhimbjeve afatgjata,” ka shtuar Dr. Rodney Gabriel, bashkautor i studimit./Gazeta Shneta/


