Mikroplastikat, copa shumë të vogla plastike më të vogla se 5 milimetra, gjenden pothuajse kudo në mjedisin e përditshëm. Megjithatë, ndikimi i tyre i plotë në shëndetin e njeriut mbetet ende i paqartë. Shkencëtarët janë veçanërisht të shqetësuar për mikroplastikat në sistemin tretës, pasi ato mund të ndikojnë në ekuilibrin dhe funksionin e mikroorganizmave të zorrëve.
Një studim i projektit microONE, i udhëhequr nga ekipet kërkimore të ‘CBmed GmbH’ në Graz, Austri, zbuloi se ekspozimi ndaj mikroplastikave mund të ndryshojë aciditetin (pH) të mikrobeve në zorrë dhe të krijojë modele të ngjashme me ato që shihen tek pacientët me kancer kolorektal, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Në këtë studim, kërkuesit përdorën mostra të jashtëqitjeve njerëzore për të krijuar kultura bioreaktive, të cilat më pas u ekspozuan ndaj mikroplastikave. Rezultatet treguan se mikroplastikat ndikojnë në metabolizmin dhe aktivitetin mikrobial, duke ndryshuar përbërjen dhe profilin metabolik të mikrobeve. Disa lloje plastike u lidhën me ndryshime në nivelet e acidit valerik dhe acidit laktik – përbërës që lidhen me funksionin e shëndetshëm të zorrëve.
Edhe pse nuk u vërejtën ndryshime të mëdha në numrin e baktereve, modelet mikrobiale pas ekspozimit ndaj mikroplastikave ishin të ngjashme me ato që shfaqen te personat me kancer kolorektal dhe depresion, por të ndryshme nga ato që lidhen me sindromën e zorrës së irrituar ose sëmundjen e Parkinsonit.
Sipas Dr. Heather Leslie, shkencëtare e pavarur që studion rreziqet e mikroplastikave, “mikroplastikat ndikojnë në aciditetin dhe përbërjen mikrobiale në mënyra të varura nga lloji i plastikës, duke treguar se trupi ynë nuk i injoron ato”. /Gazeta Shneta/


