ADN-ja humane mund të përmbajë më shumë të dhëna për marrëdhënien tonë me kanabisin sesa mendohej më parë. Një nga studimet më të mëdha në këtë fushë, i zhvilluar nga Universiteti i Kalifornisë në San Diego dhe kompania e analizës gjenetike ‘23andMe’, ka identifikuar gjene specifike të lidhura me përdorimin e kanabisit. Këto gjene rezultojnë gjithashtu të kenë lidhje me çrregullime të shëndetit mendor, tipare njohëse dhe sëmundje fizike.
Studimi, i botuar në “Molecular Psychiatry”, sugjeron se reagimi i trurit ndaj kanabisit mund të jetë pjesërisht i shkruar në kodin tonë gjenetik, duke ndikuar jo vetëm nëse dikush e provon substancën, por edhe sa shpesh e përdor dhe nëse zhvillon varësi. “Kanabisi përdoret gjerësisht, por efektet e tij afatgjata mbeten ende pak të kuptuara,” tha Dr. Sandra Sanchez-Roige, drejtuesja e kërkimit.
Ajo theksoi se rreth 30% e njerëzve që e provojnë kanabisin zhvillojnë më pas çrregullim të përdorimit të kanabisit. Kuptimi i bazës gjenetike të këtyre sjelljeve mund të ndihmojë në identifikimin e grupeve me rrezik më të lartë dhe zhvillimin e strategjive parandaluese.
Duke analizuar të dhënat gjenetike të mbi 130,000 pjesëmarrësve, studiuesit zbuluan dy gjene kryesore:
– CADM2, që ndihmon komunikimin mes qelizave të trurit dhe lidhet me impulsivitetin, obezitetin dhe rrezikun e kancerit;
– GRM3, që ndikon në plasticitetin e trurit dhe lidhet me çrregullime si skizofrenia dhe çrregullimi bipolar.
Në total, u identifikuan 40 gjene të reja të lidhura me përdorimin e kanabisit gjatë jetës dhe 4 gjene që ndikojnë në shpeshtësinë e përdorimit. Këto gjene u lidhën me mbi 100 tipare të tjera, përfshirë ADHD, ankthin, depresionin, sjelljet impulsive dhe sëmundje fizike si diabeti dhe dhimbjet kronike.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se gjenet nuk përcaktojnë plotësisht sjelljen njerëzore – mjedisi, stili i jetesës dhe zgjedhjet personale mbeten vendimtare.
Në Europë, rreth 8.4% e të rriturve (15–64 vjeç) raportuan përdorim të kanabisit gjatë vitit të fundit, ndërsa globalisht, 147 milionë persona – rreth 2.5% e popullsisë – e përdorin atë, sipas OBSH-së. /Gazeta Shneta/


