Dy barna të zakonshme që përdoren për trajtimin e diabetit kanë treguar rezultate premtuese në përmirësimin e kujtesës dhe shëndetit të trurit te pacientët me Alzheimer në fazat e hershme, sipas një studimi të ri të publikuar në revistën shkencore Alzheimer’s & Dementia.
Studiuesit kanë zbuluar se empagliflozina (Jardiance) dhe spraji nazal me insulinë përmirësojnë qarkullimin e gjakut në tru, funksionin njohës dhe ulin shenjat e dëmtimit nervor, shkruan HealthDay transmeton Gazeta Shneta.
“Studimi ynë tregon se trajtimi i proceseve metabolike mund të ndryshojë rrjedhën e sëmundjes së Alzheimerit”, tha profesorja Suzanne Craft nga Qendra Kërkimore për Alzheimer në Universitetin Wake Forest, duke shtuar se empagliflozina uli ndjeshëm markerët e dëmtimit të trurit dhe riktheu rrjedhjen e gjakut në zonat kritike, ndërsa spraji me insulinë përmirësoi kujtesën, shëndetin e enëve të gjakut dhe funksionet imunitare.
Në studim morën pjesë 47 persona rreth moshës 70 vjeç, me rënie të lehtë kognitive ose Alzheimer të hershëm, të cilët morën njërin ose të dy medikamentet për katër javë.
Të dy barnat u vlerësuan si të sigurta, dhe shumica e pjesëmarrësve vazhduan trajtimin pa efekte anësore serioze. Rezultatet treguan se empagliflozina uli nivelet e proteinës “tau”, e cila lidhet me dëmtimin e qelizave nervore, ndërsa insulina ndihmoi në forcimin e lidhjeve nervore që lidhen me kujtesën.
Sipas studiuesve, shumë pacientë me Alzheimer zhvillojnë rezistencë ndaj insulinës në tru, gjë që dëmton furnizimin me oksigjen dhe përkeqëson grumbullimin e substancave toksike që dëmtojnë qelizat.
Duke synuar këto mekanizma, barnat për diabet mund të ndihmojnë në mbrojtjen e trurit dhe në ngadalësimin e përkeqësimit të kujtesës. Studiuesit theksojnë se, për shkak se këto barna tashmë janë të miratuara nga FDA për trajtimin e diabetit, ato mund të arrijnë më shpejt te pacientët me Alzheimer nëse efektet e tyre konfirmohen në studime më të gjera.
“Të dyja trajtimet mund të ofrojnë potencial të vërtetë terapeutik, veçmas ose të kombinuara me terapitë ekzistuese kundër Alzheimerit”, tha profesorja Craft./Gazeta Shneta/


