Në vitin 2020, mbi 55 milionë njerëz në mbarë botën jetonin me demencë, dhe sipas fondacionit “Alzheimer’s Disease International”, ky numër pritet të arrijë në 78 milionë deri në vitin 2030.
Edhe pse shkaku i saktë i demencës mbetet ende i paqartë, studimet e mëparshme kanë treguar se disa faktorë rrisin rrezikun e saj – përfshirë presionin e lartë të gjakut, kolesterolin e lartë, mungesën e aktivitetit fizik, ushqimin e përpunuar dhe mungesën kronike të gjumit, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Ndërsa faktorë si mosha dhe gjenetika nuk mund të ndryshohen, ka faktorë të tjerë të rrezikut që mund të modifikohen.
Një studim i ri, i botuar në revistën “Alzheimer’s & Dementia: The Journal of the Alzheimer’s Association”, ka zbuluar një lidhje të fortë midis niveleve të ulëta të kolesterolit dhe rrezikut më të vogël për zhvillimin e demencës.
Studiuesit zbuluan se personat me variante gjenetike që ulin në mënyrë natyrale kolesterolin kanë gjithashtu rrezik më të ulët për demencë.
Për ata që nuk i kanë këto variante, përdorimi i barnave që ulin kolesterolin – si statinat apo ezetimibe – mund të ofrojë të njëjtin efekt mbrojtës.
Sipas analizave, ulja e kolesterolit përmes këtyre ilaçeve mund të reduktojë rrezikun e zhvillimit të demencës deri në 80%.
Ky zbulim përforcon rëndësinë e kontrollit të kolesterolit jo vetëm për shëndetin kardiovaskular, por edhe për ruajtjen e funksioneve njohëse në moshë të avancuar. /Gazeta Shneta/


