Ekspertët e shëndetit të zemrës po paralajmërojnë se prishja e orës së brendshme të trupit, e njohur si ritmi cirkadian, mund të ketë pasoja serioze për shëndetin.
Ky ritëm 24-orësh ndikon në gjumë, hormone, tretje dhe temperaturën trupore dhe çdo çrregullim i tij lidhet me rritje të rrezikut për obezitet, sëmundje të zemrës, diabet të tipit 2 dhe tension të lartë të gjakut, thuhet në një raport të ri të Shoqatës Amerikane të Zemrës (AHA), shkruan Euronews transmeton Gazeta Shneta.
Sipas profesoreshës Kristen Knutson nga Universiteti Northwestern, “prishjet e shpeshta të orës biologjike nuk janë vetëm bezdi si zgjimi herët apo gjumi vonë ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e zemrës dhe metabolizmin”.
Pesë mënyra për ta mbajtur në ekuilibër orën biologjike:
Merrni dritë në mëngjes, shmangeni në mbrëmje.
Ekspozimi në dritë natyrale në mëngjes ndihmon trupin të zgjohet dhe përmirëson humorin, ndërsa drita e mbrëmjes (sidomos ajo nga ekranet) pengon prodhimin e melatoninës dhe prish gjumin.
Flini dhe zgjohuni në të njëjtën orë çdo ditë.
Ndjekja e një orari të rregullt gjumi — edhe gjatë fundjavës — ndihmon trupin të ruajë ritmin natyror dhe mbron shëndetin e zemrës.
Hani herët gjatë ditës.
Vaktet e vona prishin ritmet e mëlçisë dhe pankreasit, duke ndikuar në sheqerin në gjak dhe shtimin në peshë. Studimet tregojnë se ngrënia para orës 8 të mëngjesit përmirëson shëndetin metabolik.
Zgjidhni me kujdes kohën e ushtrimeve.
Aktiviteti fizik ndikon në gjumin dhe presionin e gjakut. Ushtrimet në mëngjes apo pasdite ndihmojnë për një ritëm më të shpejtë trupor, ndërsa ato në mbrëmje mund ta vonojnë orën e brendshme.
Dëgjoni trupin tuaj.
Ora biologjike ndryshon nga personi në person. Pajisjet inteligjente që matin rrahjet e zemrës dhe temperaturën e lëkurës mund të ndihmojnë për ta kuptuar më mirë ritmin tuaj trupor./Gazeta Shneta/


