Studiues nga Universiteti i Mizurit në SHBA kanë zhvilluar një pajisje të re që mund të masë viskozitetin e gjakut (trashësinë e tij) në mënyrë të shpejtë, pa dhimbje dhe pa marrë gjak.
Sipas ekspertëve, viskoziteti i gjakut është shumë i rëndësishëm për shëndetin, pasi gjak i trashë e ngadalë mund të rrisë rrezikun për sëmundje të zemrës, goditje në tru dhe kancer.
Deri më tani, matja e tij kërkonte pajisje laboratorike të specializuara dhe nxjerrje gjaku, shkruan MedicalXpress transmeton Gazeta Shneta.
Pajisja e re përdor ultratinguj për të dërguar valë zanore nëpër trup dhe për të matur si lëviz gjaku. Një softuer i avancuar e analizon këtë informacion dhe jep vlerën e saktë të viskozitetit në kohë reale.
Sipas studiuesit Nilesh Salvi, kjo teknologji mund të bëhet në të ardhmen një shenjë jetësore e re, krahas pulsit dhe oksigjenit në gjak. Ajo mund të ndihmojë në monitorimin e sëmundjeve si anemia drepanocitare, ku gjaku bëhet më i trashë dhe dëmton organet.
Pajisja është e lirë për t’u prodhuar dhe mund të përdoret edhe si pajisje portative apo e veshshme në të ardhmen.
“Kjo nuk është vetëm një pajisje e re, por një mënyrë e re për të kuptuar shëndetin tonë,” tha Salvi./Gazeta Shneta/


