Një studim i ri global tregon se vdekjet e grave gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes kanë rënë ndjeshëm gjatë dy dekadave të fundit, falë kujdesit të përmirësuar mjekësor dhe përdorimit të kontracepsionit.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) dhe universiteteve udhëheqëse, vdekjet materne – ato që ndodhin gjatë shtatzënisë, lindjes ose deri në gjashtë javë pas lindjes – u ulën me 41% midis viteve 2000 dhe 2023, nga rreth 443,000 në 260,000.
Hulumtimi tregoi se rreth 61% e uljes i atribuohen përmirësimeve në kujdesin matern, përfshirë lindjen me asistencë të profesionistëve të shëndetit dhe mbështetjen pas lindjes, shkruan Euronews, transmeton Gazeta Shneta.
Ndërkohë, 38% e përmirësimit vjen nga përdorimi i kontracepsionit dhe kryerja e aborteve më të sigurta. Vetëm përdorimi i kontracepsionit parandaloi rreth 77,400 vdekje materne në vitin 2023.
Ekspertët theksuan rëndësinë e qasjes në kontracepsion për shëndetin e grave: “Kontracepsioni dhe kujdesi cilësor matern nuk janë vetëm ndërhyrje shëndetësore – ato janë thelbësore për shpëtimin e jetëve dhe avancimin e barazisë gjinore,” tha Pascale Allotey, drejtoreshë në OBSh për shëndetin seksual dhe riprodhues.
Megjithatë, studiuesit paralajmëruan se kufizimi i qasjes në aborte dhe reduktimi i fondeve globale për shëndetësi, sidomos nga Agjencia e SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), mund të rrezikojnë përparimin në uljen e vdekjeve materne. Ata rekomanduan që programet e planifikimit familjar të integrohen më mirë me kujdesin matern.
“Allë çdo grua, kudo, duhet të ketë mundësinë të planifikojë familjen dhe të ketë qasje në kujdesin që i nevojitet për një shtatzëni të sigurt dhe lindje të shëndetshme,” përfundoi Allotey.


