Pjesëzat mikroskopike të plastikës që gjenden në ajër mund të kenë ndikim serioz në shëndetin e njeriut, duke kontribuar në kancerin e mushkërive, kancerin e zorrës së trashë dhe sëmundje të tjera kronike, sipas një përmbledhjeje të re të publikuar në revistën “Environmental Science & Technology”.
Sipas studimit, gomat e automjeteve dhe mbetjet plastike që degradohen me kalimin e kohës lëshojnë grimca të vogla plastike, të cilat përbëjnë një formë të re dhe ende të pakuptuar plotësisht të ndotjes së ajrit, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
“Këto mikroplastika janë një formë ndotjeje të grimcave që dihet se është e dëmshme për shëndetin,” theksoi Tracey Woodruff, profesore në Universitetin e Kalifornisë, San Francisko.
Aktualisht, kompanitë në mbarë botën prodhojnë rreth 460 milionë tonë plastikë në vit, dhe kjo sasi pritet të rritet në 1.1 miliard tonë deri në vitin 2050.
Një burim i madh i kësaj ndotjeje janë automjetet, pasi gomat konsumohen gjatë lëvizjes në rrugë dhe lëshojnë mikrogrimca plastike në atmosferë.
Përmbledhja analizoi të dhëna nga rreth 3,000 studime, duke zbuluar se ekspozimi ndaj mikroplastikës mund të ndikojë në sistemin respirator, fertilitetin dhe të rrisë rrezikun e kancerit.
Edhe pse shumica e studimeve janë kryer me kafshë, ekspertët besojnë se efektet janë të ngjashme edhe te njerëzit.
“U bëjmë thirrje autoriteteve rregullatore që të marrin masa urgjente për të kufizuar ekspozimin ndaj mikroplastikës”, tha Nicholas Chartres, studiues në Universitetin e Sidneit, duke theksuar nevojën për politika të menjëhershme mbrojtëse për shëndetin publik. /Gazeta Shneta/


