Është thelluar kriza e shërbimit të hemodializës pasi Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës e ka shkëputur kontratën emergjente me operatorin ekonomik.
SHSKUK vendimin për shkëputjen e kontratës e ka marr dje me arsyetimin se operatori ekonomik nuk e ka bërë liferimin sipas kërkesave dhe kontratës, shkruan Gazeta Shneta.
Në vendimin të cilin e ka parë Gazeta, thuhet se operatori ekonomik e ka bërë furnizimin me material prej 25% të Lot 1 të premten më datë shtatë nëntor, ndërsa për Lot 2 dhe 3 liferimi është bërë të hanën më 10 nëntor pas orës 14:00.
Në këtë vendim është arsyetuar se shkelja e kontratës qëndron në faktin se operatori ekonomik e ka vonuar materialin deri në 76 orë pas datës së urdhërblerjes, përkundër se në kontratë ishte paraparë që liferimi të bëhej më së larg 1 ditë pas lëshimit të urdhërblerjes.
Por kështu nuk qëndron sipas operatorit ekonomik “Medicom”.
Gazeta ka parë edhe një korrespodencë të zyrtarëve të SHSKUK-së ku janë të përfshirë menaxheri i kontratës dhe menaxhmenti i SHSKUK-së, si dhe përfaqësues të operatorit ekonomik. Këta të fundit janë ankuar se komisioni i pranimit të mallit nuk ua ka pranuar mallin me arsyetimin se kërkohen edhe katalogjet si dhe nuk janë të përshtatshme për aparaturat.
Në këtë ankesë të operatorit thuhet se materialet e liferuara janë prodhuar nga i njëjti prodhues i aparaturave të cilat përdoren në dializë. Gjithashtu, nga ky operator është deklaruar se të njëjtat materiale ia kishte dhuruar donacion ditë më parë QKUK-së.
Sidoqoftë, në këtë tender kanë ofertuar dy operator ekonomik.
Që disa ditë shërbimet e dializës po përballen me vështirësi dhe mungesë të materialit për trajtimin e pacientëve me dializë. /Gazeta Shneta/




