Nga sallat e Qendrës Emergjente në Prishtinë deri te spitalet moderne të Zvicrës, ai ka kaluar një udhëtim të gjatë, me sfida por dhe mundësi të reja
Para se të shkonte në Zvicër, Dr. Hajdari kishte punuar për tri vite e gjysmë si specializant në Qendrën Emergjente pranë QKUK-së. Ai ishte edhe mjek i ekipit të futbollit të Prishtinës dhe pjesë e stafit mjekësor gjatë ndeshjeve të ekipeve zinxhir të Kosovës. Përvoja e tij përfshin edhe punën në klinikën Echo-scan në Prishtinë, si dhe angazhimin në kontrollet mjekësore për refugjatët afganë të strehuar në Kosovë.
Sipas tij, përshtatja në sistemin shëndetësor zviceran nuk ishte e lehtë.
“Forma e punës dhe mënyra e dokumentimit ishin sfiduese, por me kohë vështirësitë u zvogëluan. Dallimi më i madh është dokumentimi i detajuar dhe zbatimi i guidelines më të fundit në trajtimin mjekësor. Në Kosovë, një sfidë e madhe mbetet mungesa e një sistemi elektronik për të dhënat e pacientëve, që do ta lehtësonte punën e mjekut”, thekson ai.
Punësimi në Zvicër, sipas Dr. Hajdarit, i ofron mundësi unike: “Është privilegj të jesh pjesë e një sistemi shëndetësor të avancuar, ku ke qasje në zhvillimet më të fundit shkencore dhe mund t’i implementosh ato në praktikë”.
Lidhjet me mjekët shqiptarë
Për Lidhjen e Mjekëve Shqiptarë në Zvicër, Dr. Hajdari kishte dëgjuar vetëm pas disa muajve qëndrimi këtu. Procedurat e para i kishte kaluar individualisht, me ndihmën e shoqërisë.
“Mendoj se bashkëpunimi mes mjekëve shqiptarë në Zvicër duhet të forcohet. Aktualisht, ai ekziston më shumë në baza individuale, ndërsa një kornizë zyrtare mes Odës së Mjekëve të Kosovës dhe Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër do të ishte shumë e dobishme”, shpjegon ai.
Komuniteti i mjekëve shqiptarë e ka pritur ngrohtësisht Dr. Hajdarin. “Shumë prej tyre janë kolegë me të cilët kemi studiuar në Prishtinë, ndaj pritja ka qenë shumë miqësore”, tregon ai.
“Nga ajo që di unë, dhe nga kolegët me të cilët kam studiuar së bashku, mund të them se rreth 90% e tyre kanë ndjekur të njëjtën rrugë si unë”, thotë Dr. Hajdari.
“Rrugën që kam ndjekur unë e kanë ndjekur edhe mbi 50 mjekë nga Kosova, në periudhën nga viti 2018 e deri më sot. Duhet të theksoj se të gjithë ata që i njoh, kanë ardhur në mënyrë individuale, me të vetmen mbështetje nga kolegët që i kishin njohur paraprakisht gjatë studimeve.”
Ai shton se bashkëpunimi mes mjekëve shqiptarë në Zvicër është i domosdoshëm:
“Do të duhej të kishte një lidhje më të fortë bashkëpunimi mes nesh. Personalisht mendoj se kjo është e nevojshme, por jam disi skeptik sa i përket mundësisë për ta realizuar plotësisht”.
Sa u përket marrëdhënieve me Kosovën, Dr. Hajdari thekson: “Sipas informacioneve që kam, bashkëpunimi mes mjekëve shqiptarë në Zvicër dhe atyre në Kosovë ekziston vetëm në baza individuale. Nuk jam i sigurt nëse ka një formë zyrtare bashkëpunimi mes Odës së Mjekëve të Kosovës dhe Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër”.
“Këshilla ime për mjekët e rinj është të mos dorëzohen. Rruga është e gjatë dhe me sfida të shumta, por nuk duhet të ndalen. Gjithashtu, duhet ta kemi gjithmonë në mendje vendin ku u shkolluam dhe të kontribuojmë për të”, thekson Dr. Hajdari./albinfoch/




