Shkencëtarët kanë ëndërruar prej dekadash të ndalin sëmundjet që transmetohen nga mushkonjat, si malaria, e cila vret mbi 600 mijë njerëz çdo vit.
Pas suksesit të rrjeteve kundër insekteve, tani vëmendja është përqendruar te teknologjitë gjenetike – konkretisht te krijimi i mushkonjave të modifikuara që nuk përhapin më parazitët, shkruan Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Testimet e para në vende si Burkina Faso, Brazili dhe SHBA kanë dhënë rezultate inkurajuese, duke ulur ndjeshëm popullatat e mushkonjave.
Megjithatë, metoda e quajtur “gene drive”, që bën të mundur kalimin e ndryshimeve gjenetike te 100% e pasardhësve, mbetet e debatueshme për shkak të pasojave të mundshme në ekosistem.
Një raport i ri i Unitaid, organizatë e mbështetur nga OBSH, e cilëson këtë si qasjen më premtuese për eliminimin e malaries.
Në skenarin më të mirë, një lëshim i vetëm i mushkonjave të modifikuara mund të zëvendësojë gradualisht insektet bartëse të sëmundjes në rajone si Afrika nën-Sahariane.
“Kjo do të na lejonte të kontrollonim malarien në një shkallë të paprecedent, sepse mushkonja do ta kontrollonte vetë veten,” shpjegon eksperti Jan Kolaczinski.
Megjithatë, shkencëtarët paralajmërojnë se ndryshimet e përhershme gjenetike mund të kenë efekte të paparashikueshme në natyrë.
Për këtë arsye, po studiohen edhe alternativa jo-gjenetike, si infektimi i vezëve të mushkonjave me bakterin Wolbachia, që pengon përhapjen e sëmundjeve.
Pavarësisht sfidave shkencore, politike dhe financiare, Kolaczinski beson se kjo teknologji përbën “mjetin më premtues për të arritur te “zero malaria” në vendet endemike. /Gazeta Shneta/


