Në Ditën Ndërkombëtare të Diabetit, një nënë në televizionin Dukagjin ka ndarë me publikun momentin e vështirë kur mori vesh se vajza e saj 10-vjeçare vuante nga diabeti.
Lumnije Hasolli tregon se sfidat bëhen edhe më të mëdha në Kosovë, ku trajtimet për fëmijët me diabet janë të pamjaftueshme dhe nuk u kushtohet rëndësi e duhur, përcjell Gazeta Shneta.
Në një apel për institucionet shtetërore, ajo kërkon që fëmijëve të sëmurë t’u mundësohen pajisje jetësore si sensorë dhe pompa insulike. “Këto nuk janë luks, janë çështje mbijetese,” thotë ajo, duke shpjeguar se pajisjet e tilla i lehtësojnë fëmijët dhe i ndihmojnë të jetojnë më lirshëm dhe pa stres.
Sipas nënës, shërbimet nga institucionet shëndetësore ofrojnë vetëm insulinën, ndërsa pajisjet e tjera duhet të sigurohen vetë nga prindërit.
Deri vonë, disa pajisje mund të bliheshin online, por kjo mundësi tashmë nuk ekziston. Një sensor mund të përdoret vetëm për dy javë dhe kushton 80 euro dhe kjo e bën situatën edhe më të vështirë, pasi në Kosovë nuk ofrohet. Sipas nënës, është shumë e vështirë të sigurosh sensorë dhe pompa insulike, pasi institucionet publike nuk i ofrojnë ato. /Gazeta Shneta/




