Edhe pse ekzistojnë shumë barna për trajtimin e depresionit, ato nuk funksionojnë për të gjithë. Për personat me depresion rezistent ndaj trajtimit, ketamina dhe terapia elektrokonvulsive (ECT) shpesh japin rezultate pozitive.
Studimet e reja kanë zbuluar se këto terapi funksionojnë duke shkaktuar rritje të menjëhershme të adenozinës në tru. Nga ana tjetër, kafeina bllokon receptorët e adenozinës dhe teorikisht mund të ulë nivelet e saj, por konsumi i rregullt i kafesë duket se mbron nga depresioni — një fenomen i njohur si “paradoksi i kafesë”, shkruan Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Shkencëtarët tani po kërkojnë të zgjidhin këtë paradoks duke reduktuar marrjen e kafeinës përpara trajtimit, ndërsa njëkohësisht ruajnë efektin mbrojtës që ofron kafeja.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), rreth 5.7% e të rriturve në mbarë botën vuajnë nga depresioni.
Për shumë prej tyre, medikamentet standarde sjellin lehtësim, por pothuajse gjysma nuk reagojnë ndaj tyre dhe kanë nevojë për trajtime më të avancuara.
Hulumtimet e fundit kanë zbuluar se efekti antidepresiv i ketaminës dhe ECT-së vjen nga shpërthimet e adenozinës, një molekulë sinjalizuese që ndikon në enët e gjakut, sistemin nervor, tensionin, rrahjet e zemrës dhe rregullimin e humorit.
Studimi i botuar në “Nature”, identifikoi sinjalizimin e adenozinës si rrugën qendrore që qëndron pas efektit të shpejtë antidepresiv të këtyre terapive.
Ky zbulim hap rrugën për zhvillimin e trajtimeve të reja që synojnë drejtpërdrejt adenozinën. Në të njëjtën kohë, komentet më të fundit theksojnë nevojën për të kuptuar më mirë ndërveprimin mes kafeinës dhe adenozinës, për të sqaruar se si kafeja mund të mbrojë nga depresioni, pavarësisht efektit të saj bllokues. /Gazeta Shneta/


