Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka lejuar importin e shpezëve dhe nënprodukteve të tyre nga Gjermania, përjashtuar zonat ku është konfirmuar gripi i shpezëve, duke shfuqizuar vendimin e mëparshëm të ndalesës.
Vendimi bazohet në raportet e fundit të WOAH-it, Komisionit Evropian dhe autoriteteve gjermane, ndërsa ndalesa për zonat e prekura hyn në fuqi menjëherë dhe mbetet aktive deri në vlerësimin e radhës.
AUV do të vazhdojë monitorimin e situatës dhe informimin e publikut për çdo ndryshim.
Njoftimi i plotë nga AUV:
AUV ndalon importin e shpezëve dhe nënprodukteve të tyre nga zonat administrative Lower Saxony, Bavaria, Brandenburg, Baden-Württemberg, North Rhine-Westphalia, Thuringia, Mecklenburg-Western Pomerania dhe Schleswig-Holstein të Gjermanisë
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Republikës së Kosovës njofton opinionin se ka bërë plotësim-ndryshimin e vendimit për ndalesën e importit të shpezëve dhe nënprodukteve të tyre nga shteti i Gjermanisë, duke shfuqizuar ndalesën e vendimit të datës 30.10.2025.
Ky vendim është marrë duke iu referuar, raportit të fundit të Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH), raportit të Komisionit Evropian të datës 28.10.2025 dhe Raportit të Autoritetit Kompetent të Gjermanisë të datës 12.11.2025
Në bazë të Ligjit të Veterinarisë Nr. 2004/21, lejohet importi i shpezëve dhe nënprodukteve të tyre nga Gjermania, me përjashtim të zonave administrative të prekura si: Lower Saxony, Bavaria, Brandenburg, Baden-Württemberg, North Rhine-Westphalia, Thuringia, Mecklenburg-Western Pomerania dhe Schleswig-Holstein ku është konfirmuar prania e sëmundjes Avian Influenza (Gripi i Shpezëve), serotipi me patogjenitet të lartë HPAI–H5N1, në disa ferma të shpezëve nga këto zona, nga ku ndalohet importi i shpezëve të gjalla, mishit të shpezëve dhe nënprodukteve të tyre që kanë origjinën nga zonat e lartpërmendura të shtetit të Gjermanisë.
Kjo ndalesë hyn në fuqi menjëherë dhe do të mbetet aktive deri në vlerësimin e radhës nga autoritetet përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare.
AUV do të vazhdojë të monitorojë me kujdes situatën epidemiologjike dhe të bashkëpunojë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për parandalimin e përhapjes së sëmundjes.
Publiku dhe operatorët ekonomikë do të njoftohen me kohë për çdo ndryshim të mundshëm.




