Greqia ka prezantuar tre mjete të reja digjitale me qëllim forcimin e zbatimit të ligjit që ndalon shitjen e duhanit dhe alkoolit për fëmijët dhe adoleshentët.
Këto mjete vijnë pas ligjit të miratuar në korrik, i cili kërkon verifikim të detyrueshëm të moshës së blerësve dhe parashikon gjoba të ashpra për ata që shkelin rregullat, shkruan Euronews transmeton Gazeta Shneta.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha se përdorimi i teknologjisë do t’i ndihmojë autoritetet dhe policinë të zbatojnë ligjin më efektivisht.
Sipas ligjit, bizneset që shesin duhan ose alkool për të miturit mund të gjobiten nga 500 deri në 10 mijë euro, ndërsa në rast të përsëritjes së shkeljes, rrezikojnë humbjen e lejes së punës.
Po ashtu, individët që shesin produkte të tilla të miturve, përdorin fëmijët për shitje, ose lejojnë praninë e tyre në ambiente të ngjashme me bare, mund të përballen me gjoba dhe deri në tre vite burg.
Tri mjetet digjitale përfshijnë:
– Një regjistër online ku bizneset duhet të paraqesin paraprakisht çdo event privat ku marrin pjesë të mitur.
– Një regjistër tjetër ku çdo dyqan deklaron llojet e produkteve të duhanit dhe alkoolit që shet, për të lehtësuar inspektimet.
– Një mekanizëm të ri për verifikimin e moshës së blerësve në dyqane fizike dhe online, përmes skanimit të një kodi QR.
Kryeministri Mitsotakis tha se Greqia është ndër vendet më të avancuara në Evropë në fushën e verifikimit digjital të identitetit dhe se kjo teknologji pritet të përdoret edhe në politikat e ardhshme për qasjen e të miturve në rrjetet sociale./Gazeta Shneta/




