Osteoporoza, një sëmundje që dobëson kockat dhe rrit rrezikun për fraktura, vazhdon të mbetet e padiagnostikuar tek shumë pacientë, thonë ekspertët nga Universiteti i Kolorados. Mjekët theksojnë se shpesh pacientët trajtohen vetëm për frakturat, ndërsa shkaku kryesor—osteoporoza—lihet pas dore.
Sëmundja prek mbi 200 milionë njerëz në botë dhe është më e shpeshtë tek gratë pas menopauzës.
Sipas specialistëve, faktorët kryesorë të rrezikut janë mosha, gjenetika, mungesa e vitaminës D dhe kalciumit, stili i ulur i jetesës, duhanpirja dhe përdorimi i disa barnave si steroidet, shkruan MedicalXpress përcjell Gazeta Shneta.
Shenja kryesore e osteoporozës janë frakturat me trauma minimale, që prekin më së shumti shtyllën kurrizore, ijet dhe kyçet e duarve.
Mjekët paralajmërojnë se një frakturë e tillë mund të rrisë rrezikun për fraktura të tjera deri në pesëfish dhe të ndikojë rëndë në cilësinë e jetës së pacientit.
Në Universitetin e Kolorados, është nisur një program i ri multidisiplinar për identifikimin më të hershëm të pacientëve në rrezik. Përmes shërbimit të ndërthurur “Fracture Liaison Service”, çdo pacient mbi 65 vjeç me frakturë të dyshuar nga osteoporoza dërgohet automatikisht për teste të densitetit kockor dhe vlerësim të mëtejshëm nga mjekët specialistë.
Ky model ka rritur ndjeshëm numrin e pacientëve që marrin trajtim kundër osteoporozës. Mjekët thonë se diagnostikimi i hershëm dhe kombinimi i barnave me ndryshime në stilin e jetesës janë çelësi për të parandaluar fraktura serioze dhe paaftësi afatgjatë./Gazeta Shneta/


