Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK) ka përfaqësuar vendin në Kongresin Global të Pacientëve, i cili u mbajt në Manila, Filipine, nën organizimin e Aleancës Ndërkombëtare të Organizatave të Pacientëve .
PRAK mori pjesë në disa prej ngjarjeve kryesore të kongresit, përfshirë takimin e Bordit të IAPO, ku u diskutuan drejtimet strategjike dhe prioritetet e ardhshme të organizatave të pacientëve në nivel global, transmeton Gazeta Shneta.
Përfaqësuesit e PRAK-ut morën pjesë edhe në Asamblenë e Përgjithshme Vjetore, ku u prezantuan raportet vjetore dhe planet për zhvillimin e rrjetit ndërkombëtar të organizatave të pacientëve.
Në programin e kongresit, PRAK mbajti një prezantim në sesionin e dedikuar Mbulimit Universal Shëndetësor.
Gjatë këtij prezantimi u paraqit perspektiva e Kosovës, duke përfshirë sfidat që lidhen me sistemin shëndetësor, si dhe mundësitë për zhvillim të mëtejshëm.
Po ashtu, u prezantuan përvojat e Këshillave të Pacientëve në vend dhe modeli i Kartës së Pjesëmarrjes Sociale, që synon të rrisë përfshirjen e pacientëve në proceset vendimmarrëse.
Pjesëmarrësit e kongresit shfaqën interes për qasjen e Kosovës në angazhimin e pacientëve dhe praktikat që po zhvillohen në këtë drejtim./Gazeta Shneta/




